Bace: Varreza e Rrmajit, funksionale s’mund të jetë monument
Duhet të them se çdo varrezë ka një rojtar, ose të paktën duhet ta ketë. Rojtari i varreve, nuk varet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ky normalisht duhet të varet nga bashkia a mbase nga Kisha, s’e di me saktësi. Nuk di në këtë mes ku është apo ku konsiston faji i Institutit të Monumenteve. Ne nuk kemi mundësi apo detyra të tilla që të caktoj unë një rojtar varrezash, dhe nëse do ta bëja kjo nuk do të më justifikohej”. Kjo qe deklarata që bëri dje Apollon Baçe, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës në lidhje me skandalin e publikuar nga “Gazeta Shqiptare”, ku bëhet e ditur se në varrezat e Rrëmajit në Shkodër, shiten varre e hidhen eshtrat. Këto varreza janë shpallur Monument Kulture në vitin 2007, nga ish-ministri Ylli Pango. Teksa e cilëson këtë shpallje, kapriço të ministrit, Baçe thotë se kjo është kundravjatje, sepse një varrezë funksionale, s’mund të jetë monument….
Z.Baçe, dje në “Gazeta Shqiptare” është botuar një intervistë që zbardh skandalin e tregtimit të eshtrave në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. Ato janë monument kulture. Cili është reagimi juaj apo përgjegjësitë tuaja në këtë çështje?
Varreza e Rrëmajit në Shkodër është sui generis një monument kulture i shpallur si i tillë në vitin 2007. Duket se është më shumë një kapriço e ministrit të Kulturës të asaj kohe, Ylli Pango. Ky vendim prej tij u mor pas një propozimi të bërë nga poshtë. Këto varreza në listat e monumenteve figurojnë si monumente të sektorit të kulturës kombëtare, që do të thotë se nuk ka qenë Instituti i Monumenteve të Kulturës ai që i ka shpallur ato të tilla. Faktikisht, këtu ka një kundravajtje në këtë gjë, sepse një monument është ai që nuk lejohet të preket, nuk lejohet të ndërhyhet, dhe nuk duhet të pësojë ndryshime. Në rastin konkret, varreza e Rrëmajit, është një varrezë në funksionim. Kjo do të thotë se aty bëhen varrime sërish edhe në ditët tona. Atëherë pse nuk janë shpallur monument zëmë shembull, varrezat e Tiranës, apo të një vendi tjetër, meqë edhe këto janë në funksionim, që do të thotë se vazhdimisht vendosen eshtra njerëzish. Ndër ta, edhe këtu mund të ketë njerëz të shquar. Në këtë praktikë, çdo qytet mund të ketë të drejtë që t’i shpallë, monument varrezat e veta. Ne po bëjmë një “krehje” të kësaj listës së monumenteve dhe do të heqim prej saj, monumente të tilla komike si “Kopshti i 7 xhuxhëve” në Tiranë. Pra ne do të shohim se ç’bëjnë e ç’nuk bëjnë si monumente. Tani sa i takon dhunimit të varreve, apo tregtimit të tyre, unë duhet të them se çdo varrezë ka një rojtar, ose të paktën duhet ta ketë. Rojtari i varreve, nuk varet nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ky normalisht duhet të varet nga bashkia a mbase nga kisha, këtë nuk e di me saktësi. Unë nuk di se në këtë mes ku është apo ku konsiston faji i Institutit të Monumenteve. Ne nuk kemi mundësi apo detyra të tilla që të caktoj unë një rojtar varrezash, dhe nëse do ta bëja kjo nuk do të më justifikohej.
Në Shkodër është kërkuar që këto varreza të kalojën në mbrojtjen e bashkisë. Ju jeni dakord?
Padyshim. Dikush duhet të merret. Varrezat e Rrmajit i takojnë kulturës sonë kombëtare dhe bashkia fare bukur mund ta bëjë këtë gjë ose vetë kisha katolike meqenëse janë varrezat e katolikëve. Në këtë mënyrë ato do të jenë në kontroll dhe do të ruhen. Ama unë nuk di se si mund të jenë monument kulture.
Domethënë, ju i shihni Varrezat e Rrëmajit në Shkodër si një prej atyre monumenteve që mund të hiqen nga lista?
Padyshim nuk jam unë që heq nga lista apo vë në listë ndonjë monument. Ajo instancë që i ka vënë mund t’i heqë. Është ministria përkatëse, që vendos se çilat kanë vlerë e duhet të jenë monumente e cilat nuk kanë e s’duhet të jenë. Tek ne, po të merremi me varreza si monumente kulture, do të na duhej që të merremi me varrime më tej.
Në intervistën e djeshme të Dom Nikë Ukgjinit, flitej për varre katolike trekatëshe me gdhendje pothuaj në vetvete monumente…
Shikoni. Unë i dënoj ata që merren me dhunime varresh! Të dhunosh një varr, është jashtë moralit dhe etikës sime, është diçka e shenjtë. Unë vetë nuk do dhunoja varrin e armikut e jo më të njerëzve të njohur të kombit. Nga ana tjetër nuk jam në gjendje t’i ruaj ato. Mund të them se kur vdiq Çarli Çaplin, kufoma u vodh, dhe nuk dihet se ku gjendet. Tani kush e ka fajin në këtë mes, Instituti i Monumenteve të Anglisë?
Eshtrat e emrave të mëdhenj të kulturës dhe historisë së kombit shqiptar si Fishta, Mjeda, Zadeja, Shantoja, Harapi, mendohet se kanë humbur pas viteve ’90. Si e shihni këtë edhe si fenomen?
E kuptoni ju që në këtë mes unë dal nga kompetencat e mia si drejtues i Institutit të Monumenteve të Kulturës? Unë përgjigjem për monumente, trashëgimi kulturore, piktura, gërmime të antikitetit, mesjetës a diçka më vonë, por jo për varreza e eshtra. Ne vetë kemi mbingarkesë. Ç’ mund të bëjë instituti i Monumenteve që të ndalojë dhunimit e varreve, hedhjen e eshtrave apo dëmtimin e tyre. Aty duhet të ketë një rojtar varresh që nuk duhet të lejojë këto ngjarje. Jashtë dënohesh me ligje të forta për dhunim varresh. Unë nuk mundem me personazhet e kulturës kombëtare, të gjallë apo të vdekur. Kështu i bie të merrem me jetën e Kadaresë, mirëqenien e tij, por këto dalin nga kompetenca ime.
(Intervista u botua sot në Gazeta Shqiptare)
(BalkanWeb)





















Cfare krahasimit?
Kufoma e Çarli Çaplin eshte gjetur 11 jave mbas qe eshte vjellur. Duket qe shkruan te mbroni pushtat qe bejne keto gjera. Aty po behet fjale per shume te vdekur kurse ju flisni per Çarli Çaplin qe as historine e tij nuk e dini ose mbase e dini por mendoni se fjalet tuaja do ti hame ne
Ata qe prekun te vdekurit duhet qe te varen ne litar kush do qe te jene.
Keta tipa qe po prekun te vdekurit meritojne qe ti varin ne litar dhe mos te ju heqet litari nga qava as vdekur.